Alfons de Lamartin
Liqeni
Drejt brigjeve të reja duke grah pa fund,
Të rrëmbyer pareshtur nga nata e përjetme,
Në oqeanin e viteve ne kurrë nuk mund
Të ankorojmë një ditë të vetme?
Liqen! Ja viti i mblodhi flakërimet e tij,
Pranë valëve që ajo duhet sot t’i përshëndesë.
Vështro! Vij vetëm te ky gur e po rri
Ku e pe të ulej lehtë – lehtë!
Kështu ushtoje ti nden shkëmbinjtë e thellë,
Kështu shkërmoqkëshe përmbi shkrepat e ngrënë,
Kështu shkumën e valës e hidhte një erë
Mbi të dashurat këmbë!
Të kujtohet? Po lundronim në heshtje një natë;
Nuk dëgjohej përqark nën qiej e gjer mbi zall,
Veç llapashitja e lundrarëve që shtynin me lopatë
Harmoniket valë.
Ca pasthirrma të vakëta jehonin në breg,
Oshtinin si vigma shpatesh të gjallë,
Papritur tulatet vala e prej zërit të shtrenjtë
Përhapen këto fjalë:
“O kohë rri pezull! Dhe ju o çaste fatlumë
Mos vraponi tatëpjetë!
Na lini të shijojmë këtë ëndje si shkulm
Më të bukurën në jetë!
Ju luten të përlotur në botë shumë fatzinj,
Për ta ikni sa më parë;
Rrëmbejuni me ditët kujdesin që i përpin;
E leni njerëzit fatbardhë.
Por më kot unë kërkoj dhe ca çaste harrimi,
Koha brof rrotull u ter;
I them kësaj nate: ”Ik më ngadalë”; agullimi
E hallakat natën, e çjerr.
Të dashurojmë atëherë, kuqërrimin fluturak
Me nxitim ta gllabërojmë!
Njeriu s’ka port e koha nuk ka prag;
Rrëshqet, e ne shkojmë!”...
Kohë smirëzezë, si mundet që çastet magjikë,
Ku shend gulfa – gulfa na zbraz dashuria,
Fluturojnë nga ne njëlloj me vërtik,
Si ditët e këqija?
S’do mundim të ruajmë një gjurmë a fërfëllimë?
Si! U shuan përgjithmonë? Çdo gjë thahet, roit?
Kjo kohë që na i jep, kjo kohë që i fshin,
S’do na i kthejë një ditë?
Kuqërrim që u fishk, hiç, hone të zinj, përjetësi,
Ditët që gëlltisni ku i shpini, ç’i bëni?
Flisni, do na i ktheni këto dalldi
Që ju na i rrëmbeni?
Pyll i zymtë, shpella, shkëmbinj memecë, o shkumë,
Ju, që koha s’ju nget e mbase ju përtërin,
Natyrë, ju mbani nga kjo natë një gjurmë,
A të paktën një kujtim!
Të shndrijë kur je në gjumë, a nga klithmat i përpirë,
Liqen, në lule brinjash, në agun plot bujë,
Në bredhat e murrëtyer, në shkëmbinjtë rrëpirë
Që varen përmbi ujë!
Në puhinë që fërgëllon e fashitet mbi zall,
Në uturimën e bregut, që bregu përsërit,
Në yllin sy argjendi që thinj ujin, e zbardh
Me të butën dritë!
Që kur era të fshajë, të rënkojë kallami i thatë,
Kur flladi miturak të shëtisë i parfumuar,
Çdo gjë që rrëmben syri, belbëron e dihat
Të thotë: ”Kanë dashuruar”
Viktor Hygo
Mbi kupën tënde
Meqë mbi kupën tënde kam puqur buzët sot,
Meqë ballin e zbehtë te duart tua e sjell,
Meqë nga shpirti yt ndonjëherë jam mbushur plot
Me frymë të ëmbël, një parfum me hije i pështjell,
Meqë kam dëgjuar fjalë, që m´i thoshe aq shpesh,
Ku zemra misterioze derdhej si puhi,
Meqë kam parë si qan, kam parë si buzëqesh,
Gojën tënde mbi timen, sytë e tu mbi të mitë,
Meqë kam parë sa herë të më shkrepë mbi ballë
Një rreze të yllit tënd, që me mjegulla u mbulua,
Kam parë të më bjerë mbi shkulma e mbi valë
Një fletë trëndafili, që u shkul nga ditët tua,
Ahere u them viteve që ikin me të shpejtë:
- Kaloni pa pushim! Unë nuk do plakem kurrë!
Ikni me ato gjethe të vyshkura krejt,
Në shpirt kam një lule, që askush s´mund ta shkulë!
Poçen, ku pi, s´mund ta derdhni, duke u vërsulur,
Kur me krahun tuaj e flakni me rrëmbim,
Shpirti im ka zjarr më shumë nga ç´keni ju pluhur!
E dashuri më shumë nga ç´keni ju harrim!
Alfred de Myse
Baladë për hënën
U duk në një muzg të qetë,
Zbardh kambanoren e rri
E zbehtë
Hëna si pikë përmbi i.
Ç’xhind, me një fill të gjatë,
I zymtë tërheq, o Hënë,
Nëpër natë,
Fytyrën e profilin tënd!
Je sy i qiellit qorr?
Një engjëll tinëzar rri pas,
Vëngëron,
Nën të marrtën maskë?
Apo je, top pështjellë,
Merimangë gjithë tule të arta,
Që bredh,
Pa putra e pa flatra?
Mos je, jam fort dyshues,
Metali i lashtë, i verdhë
I orës
I të nëmurve në ferr?
Përmbi ballin tënd që shket,
Ata i ndien sonte, e panë,
Sa vjet
Amshim, tringëllimat ranë?
Është një krimb që të bren,
Kur disku yt i përhirë,
I ngrënë
Hollohet si një brirë?
Kush të qorroi në sy
Mbrëmë? Apo re mbi panjë,
Aty
Në kurorën e saj me majë?
Se erdhe e zbehtë, e vrarë,
Mbështete të hollin bri
Mbi xham
Përmes kangjellave të tij.
Shko hënë në hekë e vdjerrë,
Trupi i bukur i Febesë,
leshverdhë
Ra në det e po vdes.
Veç fytyra e saj mbet
Tek ty, plot rrudha i tharë,
U tret
Dhe balli yt tani pa ar...
Por, o hënë, nga dashuritë
E tua si përralla
Ti shndrit
Gjithmonë me feksje të gjalla.
Je për çdo kalimtar,
Kështu e nartë, e përtërirë
Një zjarr,
Hënë e plotë, a si brirë.
Do të dojë bariu i trishtë,
Plak, prej ballit tënd
Fildish
Rreth tij do lehin qentë.
Do të dojë, i bërë me fletë
Në anije çdo detar
Mbi det,
Nën kupën qelibar.
Dhe vogëlushja harlis,
Këmbëlehtë kapërcen
Një murriz,
E këndon një refren...
Dhe unë vetë ndajnatëherë,
Borë rëntë, a erë kur fryn,
Ç’më ndjell,
Të vijë këtu, çfarë më shtyn?
Vij, shoh në muzgun e qetë,
Mbi kambanoren flori,
Të zbehtë,
Hënën si pikë përmbi i.